Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, mund të luaj në ndeshjen e fundjavës së Torinos ndaj Udineses, transmeton Insajderi.
Kështu kanë raportuar gjatë së hënës së 5 prillit mediat italiane, raporton Koha.
Klubi i Serie A të hënën ka njoftuar për një rast me Coronavirus në mesin e lojtarëve të skuadrës së parë.
Torino nuk ka bërë të ditur emrin e lojtarit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për portierin e parë, Salvatore Sirigu, i cili për shkak të infektimit me COVID-19 duhet të qëndrojë i izoluar për një kohë.
Dhe kjo krijon mundësinë që Ujkani ta fitojë rastin.
32-vjeçari së fundi ka kompletuar tri ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës.
Portieri i parë, Arijanet Muriq, u largua nga grumbullimi për arsye disiplinore dhe kështu Ujkani qëndroi në portë kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës.
Derisa ndaj Suedisë paraqitja e Ujkanit u vlerësua e zbehtë kundër Spanjës në humbjen 3:1, ai bëri numër të madh pritjesh. Ndërkohë nuk u fajësua për ndonjërin nga golat e pranuara. /Insajderi.com