Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, premton maksimumin ndaj Finlandës dhe ka një motivim shumë të veçantë për ta bërë një gjë të tillë.
Futbollisti i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e Shqipërisë, mendon se prania e Kosovës në arenën ndërkombëtare është një shpagim ndaj atyre që deshën ta shuanin plotësisht nga harta dhe e përgjakën barbarisht.
“Do të pres topin për të vdekurit tanë”, janë fjalët e Ujkanit për “Corriere Della Sera”.
“Unë isha gjashtë vjeç kur u arratisa nga Kosova, me prindërit shkuam në Belgjikë. Çdo dy muaj na vinte një letër dhe zbulonim se kush kishte vdekur dhe kush jo. Kam humbur komshi, familjarë, miq, kam parë tmerr me sy. Kjo është arsyeja se pse nuk do të jetë vetëm një ndeshje”, thotë portieri i Kosovës.
“Jemi së bashku prej pak kohësh. Është një skuadër në ndërtim e sipër, por duam të fitojmë për njerëzit tanë”, premton ai.
Në këtë shkrim, ku bëhet një analizë e plotë edhe e problemeve me të cilat përballet Kosova, me listën e përgjysmuar të lojtarëve për shkak të refuzimeve si i Januzajt apo pamundësisë si ajo e Xhakës, nuk mungon edhe një koment nga trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni De Biasi.
Ai e vlerëson këtë përfaqësuese si “një skuadër pa eksperiencë por me karakter dhe një teknikë të mirë”.
Ndërkaq, ai u ka sugjeruar gazetarëve italianë që të mbajnë nën vëzhgim Milot Rashicën, pikërisht futbollistin të cilin ai tre muaj më parë zgjodhi që të mos e merrte me vete në Europian, një vendim që mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e Kosovës nga ana e mesfushorit të talentuar. /Insajderi.com