Ukraina e konsideron Mitrovicën si terren neutral mes Kosovës dhe Serbisë

Ukraina e konsideron Mitrovicën si terren neutral mes Kosovës dhe Serbisë

Një ditë para ndeshjes së përfaqësueses së basketbollit të Kosovës dhe asaj të Ukrainës, Federata e Basketbollit të Ukrainës ka shkruar një artikull rreth shtetit të Kosovës, përfaqësueses dhe qytetit ku do të zhvillohet takimi në mes të dy reprezentacioneve.

Sipas përshkrimit të federatës ukrainase, qyteti i Mitrovicës është një terren neutral, i ndarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Interesante është se qyteti i Mitrovicës është i ndarë në dy pjesë përmes lumit Ibër. Pjesa shqiptare e jugut i takon Kosovës, ndërsa ajo veriore Serbisë. Përkundër faktit se ndeshja do të zhvillohet në terren neutral tifozët vendas pritet të krijojnë atmosferë dhe të mbështesin skuadrën e tyre”, thuhet në artikullin e Federatës së Basketbollit të Ukrainës.

Ukraina po ashtu ka vendosur që ndeshja e kthimit që pritet të zhvillohet brenda këtij muaji, të mos luhet në territorin ukrainas për shkak se ajo nuk e njeh Kosovën dhe nuk mund të lejojë që basketbollistët dhe stafi i përfaqësueses kosovare të udhëtonte në territorin e tyre. /Insajderi.com