Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, vlerëson se tregu i përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në heqjen e pengesave në ekonominë rajonale dhe do të përshpejtojë integrimin e rajonit në BE, transmeton Insajderi.
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës (VEF), Varhelyi tha se tregu i përbashkët rajonal i bazuar në standardet e BE-së, i cili po vendoset, ka një potencial të madh.
“Këto janë masa të rëndësishme që do të lehtësojnë tregtinë, por edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve, njohjen reciproke të certifikatave, diplomave. E gjithë kjo kontribuon në rritjen e atraktivitetit të rajonit për investitorët dhe gjithashtu do të përshpejtojë integrimin e rajonit në BE,” tha ai.
“Ne po shikojmë mënyra për të integruar Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më shumë në tregun e përbashkët evropian. Në disa sektorë, ne do të dëshironim që Ballkani Perëndimor të marrë pjesë edhe para se vendet të bëhen anëtare,” theksoi komisionari evropian, raporton KP. /Insajderi.com