Ditën e diele, është mbajtur protesta e radhës e qytetarëve bjellorus, që kundërshtojnë fuqishëm pushtetin diktatorial të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Insajderi.
Protesta e datës 27 shtator, nuk ka kaluar e qetë, ngase gjatë marshit të protestuesve është hedhur gaz lotsjellës.
Protestat u mbajtën në kryeqytetin bjellorus, Minsk, dhe qytete tjera si Gomel. Në anën tjetër, disa protestues janë marrë me dhunë dhe janë futur në furgonat e forcave të rendit.
Një zyrtar i forcave të rendit, tha se “disa njerëz u sollën në mënyrë të papërshtatshme”, prandaj janë marrë ato masa nga policia.
Protestuesit planifikonin të mbanin një ceremoni “inauguruese për popullin” në mbështetje të Svyatlana Tsikhanouskaya, kandidates opozitare në zgjedhjet presidenciale, e cila tashmë është larguar nga vendi dhe po qëndron në Lituani. /Insajderi.com