Në Mianmar vazhduan protestat të cilat filluan dje pas puçit ushtarak që u krye me pretendimin se janë bërë mashtrime në zgjedhjet e nëntorit 2020, transmeton Insajderi.
Sipas pamjeve të postuara në mediat sociale, mijëra persona të mbledhur në sheshin e qytetit më të populluar të vendit në Yangon mbështetën ish-ministren e Jashtme dhe lideren e vendit, Aung San Suu Kyi, e cila është arrestuar para grushtit të shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Personat e mbledhur që mbanin në duar balona të kuq që simbolizojnë partinë e Suu Kyi, Lidhja Kombëtare për Demokracinë, hodhën slogane “Jo diktaturës ushtarake, duam demokraci”.
Në qytetin Mawlamyine në rrugë dolën rreth 100 persona kundër grushtit të shtetit ndërsa në Mandalay një grup mjekësh njoftuan se kanë filluar protestën e mosbindjes civile.
Dje pasi mijëra persona dolën për protestë nëpër rrugët në qytetin Yangon, administrata ushtarake vendosi të bllokojë internetin për një kohë në vend.
Puçi ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 mori pushtetin me 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit premtoi për rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres deklaroi se do të bëjnë çdo gjë që kanë në dispozicion për të kaluar në veprim të gjithë aktorët dhe komunitetin ndërkombëtar që puçi ushtarak të dështojë. /Insajderi.com