Vdes babai i legjendës italiane të futbollit nga Covid-19

Vdes babai i legjendës italiane të futbollit nga Covid-19

Francesco Totti, një legjendë e futbollit italian, dhe atij botëror, sot kishte një ditë të rëndë, ngase pas infektimit me Covid-19, është ndarë nga jeta babai i tij, Enzo Totti, njofton Insajderi.

Francesco Totti, në vitin 2017 u pensionua nga futbolli, në ekipin e tij të fëmijërisë, në atë ekip ku mori hapat e parë në botën e futbollit, ku për 24 sezone u paraqit në një fanellë të vetme, në atë të Romës.

Sot, pas infektimit me Covid-19 është ndarë nga jeta babai i Tottit, Enzo Totti në moshën 76 vjeçare. Këtë e ka bërë të ditur vet Francesco në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan: “Babai nuk më komplimentoi kurrë, në fakt ai gjithmonë më rrihte. Kur shënova dy gola ai tha se duhej të shënoja katër. Deri në ditën e fundit ai kurrë nuk më tha asgjë. Dhe ndoshta ky ishte fati im”.

Në fakt, meritë e qëndrimit të tij te Roma për një karrierë të tërë, është babai i Tottit, ngase në kohën kur Totti ishte fëmijë akoma pa zgjedhur ekipin që do të luante, në banesën e tyre shkojnë për vizitë skautët e Milanit, ku i kërkojnë familjes Totti që djali i tyre të zgjidhte Milanin, por ishte diçka që Enzo e kundërshtoi fuqimisht duke thënë se djali i tij i takon Romës dhe do të jetë i Romës. /Insajderi.com