Vëllaznimi mposhtet në shtëpi nga Ponte Prizreni

Vëllaznimi mposhtet në shtëpi nga Ponte Prizreni

Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 92:112 (23:36, 30:21, 25:35, 14:20), në kuadër të javës së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.

Ndeshjen më mirë e nisi Ponte Prizreni, që e fitoi çerekun e parë 23:36. Por, Vëllaznimi u këndell në periudhën e dytë, duke e fituar 30:21, derisa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 53:57.

Në periodën e tretë, vendasit afruan rezultatin në 66:67, por më pas prizrenasit u shkëputën në rezultat, duke e fituar këtë pjesë 25:35, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 78:92.

Në 10 minutat e fundit, Ponte Prizreni ruajti epërsinë dhe triumfoi në fund me 20 pikë diferencë, me rezultat 92:112.

Vëllaznimit nuk i ndihmuan as 35 pikët, 11 kërcimet dhe pesë asistimet nga Christopher Hortman, kurse te Ponte Prizreni u dalluan Divine Myles me 39 pikë, Josh Martin me 12 pikë e 19 kërcime, Urim Zenelaj me 10 pikë e 12 kërcime, Arti Hajdari me 21 pikë dhe Xavier Cannefax me 19 pikë.

Vëllaznimi ka katër fitore dhe 12 humbje, kurse Ponte Prizreni 11 fitore dhe pesë humbje. /Insajderi.com