Vendet prodhuese të naftës arrijnë marrëveshje historike për zvogëlimin e prodhimit

Vendet prodhuese të naftës arrijnë marrëveshje historike për zvogëlimin e prodhimit

Anëtarët e organizatës “OPEC”, e cila përbëhet nga shtetet që prodhojnë më së shumti naftë, bashkë me disa vende të tjera aleate, kanë arritur marrëveshje për zvogëlimin e prodhimit botëror për rreth 10 për qind.

Kjo masë u mor për shkak të rënies së kërkesës pas krizës së koronavirusit, që ndikoi në rënien e madhe të çmimit të karburanteve. Kështu, u prekën drejtpërdrejt të hyrat e shteteve që shitjen e naftës e kanë pjesë të rëndësishme të ekonomisë.

Marrëveshja e arritur të dielën paraqet paktin më të madh për zvogëlimin e prodhimit që është arritur ndonjëherë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

E vetmja hollësi që nuk është konfirmuar ende është fakti se prodhimi i naftës do të zvogëlohet për saktësisht 9.7 milionë fuçi në ditë.

Arritja e marrëveshjes ndikoi në rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve. Çmimi u rrit për 1 dollar për fuçi në Azi, 6.1 për qind në Shtetet e Bashkuara dhe 3.9 për qind në bursën ndërkombëtare.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes e kanë konfirmuar presidenti amerikan, Donald Trump, Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite dhe agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi.