Vendi më paqësor në botë

Vendi më paqësor në botë

Niveli i paqes në botë është përmirësuar lehtësisht, për të parën herë që nga fillimi i luftës në Siri. Por harmonia ka njohur rënie në SHBA dhe terrorizmi është rritur.

Sipas një instituti studimesh me qendër në Sidnej, “Instituti për Paqen dhe Ekonominë”, kostoja e konflikteve ka pasur pasoja të jashtëzakonshme në ekonomitë botërore. Studiuesit kërkuan që më shumë parà të shpenzohen në ndërtimin e paqes.

Raporti zbulon se bota është bërë 0.28 për qind më e paqtë vitin e shkuar. Kjo ka ardhur nga një rënie e dhunës shtetërore, përfshirë torturën, vrasjet pa gjykim dhe një rënie të shkallës së vrasjeve. Efekti i vonuar i tërheqjes së trupave amerikane dhe britanike nga Afganistani ka ndikuar në këtë përfundim.

Por trendi nuk është i tillë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një rritje e vrasjeve dhe një nivel më i lartë i krimit ka bërë që perceptimi i paqes të njohë rënie. Ndërsa niveli i terrorizmit është rritur në Europë, kontinenti mbetet rajoni më paqësor në planet.

Numri i vendeve me një bilanc më të rënduar vdekjesh nga terrorizmi ka shkuar në 23. Mes tyre Danimarka, Suedia, Franca dhe Turqia. Kërkuesit kanë arritur në përfundimin se 60 për qind e vendeve kanë një shkallë më të lartë terrorizmi sesa 10 vite më parë.

Kërkimi nuk përfshin periudhën e sulmit në Manchester të Britanisë së Madhe, muajin e shkuar. Ndërkohë, rritja e mbështetjes për populizmin në Europë, sipas raportit korrespondon me një përkeqësim të niveleve të paqes, teksa rritet pabarazia e pasurisë, liritë e mediave tkurren dhe pranimi i të drejtave të të tjerëve nga ana e njerëzve duket se po vështirësohet.

Siria është vendi më pak paqësor në botë për të pestin vit radhazi. Para shpërthimit të luftës civile atje, Siria klasifikohej si vendi i 65-të mes atyre më pak të paqtëve. Katër vendet e tjera më të dhunshme janë Afganistani, Iraku, Sudani Jugor dhe Jemeni. Në anën tjetër, Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një vend që e mban këtë rekord që prej vitit 2008. Katër vendet e tjera më paqësore janë Zelanda e Re, Portugalia, Australia dhe Danimarka.