Ventura tregon synimin e Italisë në përballje me Shqipërinë

Ventura tregon synimin e Italisë në përballje me Shqipërinë

Pak orë pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, përfaqësuesja Italiane ka shkuar në Shkodër, ku nuk ka zhvilluar stërvitje, por vetëm konferencën e fundit për shtyp në prag të ndeshjes të së hënës.

Trajneri i tyre Gian Piero Ventura në deklaratat e tij ka paralajmëruar këdo se axurrët do të zbresin në fushë për të fituar, që të sigurojnë kreun e skuadrave të playoff-it.

“Është hera e parë që Italia vjen në Shqipëri dhe më pëlqen që jam pjesë e këtij momenti historik. Ne kemi ende objektiva dhe duhet të mbetemi kokë grupi në play-offin e ardhshëm. Për sa i përket Cristian Panuccit, mund të them që kjo nuk do të jetë një përballje mes tij dhe Venturës, por një përballje mes Italisë dhe Shqipërisë. Pres një hap përpara, në krahasim me pjesën e dytë ndaj Maqedonisë. Duhet të shkojmë dhe të kalojmë fazën e Play Off”, u shpreh Ventura.

Nëse është hera e parë për përfaqësuesen italiane që vjen në Shqipëri, nuk është e njëjta gjë për kapitenin e axurrëve, Xhanluixhi Bufon.

“Do jetë kënaqësi të jem këtu, pasi herën e fundit isha këtu në 1995 kur luaja me Parmën kundër Teutës. Pas 22 vjetësh kthehem dhe e gjej Shqipërinë në gjendje të mirë. Ky është një vend që përcjell pozitivitet, një vend që po zhvillohet jo vetëm në futboll”, tha Buffon.