Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi: Nuk pritet të ketë shtyrje të kësteve në bllok ashtu siç ndodhi herën e kaluar.
Derisa kriza pandemike po thellohet më tej në vend, dhe ka afektuar edhe ekonominë e vendit, Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit për pagesën e kësteve të kredive.
Në Shoqatën e Bankave të Kosovës thonë se derisa nuk ka ndonjë vendim të ri do të mbetet në mes të bankës dhe klientit për të bërë ri-programimin e kredive nëse vlerësohet se ka vështirësi financiare nga ana e klientit për të bërë pagesat.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti përmes një shkrese i ka thënë KosovaPress-it se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar dhe se varësisht prej kësaj do të merret një vendim.
“Nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar”, ka thënë Ahmeti.
Sipas BQK-së vlera e kërkesave për shtyrje të kësteve kreditore sipas të dhënave për periudhën mars-prill-maj 2020 është 1.95 miliardë euro, apo 63.5% e gjithsej portfolios së kredive aktive të sektorit bankar.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se nuk pritet të ketë shtyrje të kësteve në bllok ashtu siç ndodhi herën e kaluar, por kjo do të bëhet përmes ri-programimit të kredive konform gjendjes financiare./Insajderi.com