
Një hulumtim i ri ka treguar që distanca sociale dhe stresi i shkaktuar nga kriza e pandemisë, janë duke intensifikuar simptomat për personat që vuajnë nga çrregullime të ushqimit.
Studimi i publikuar në Internacional Journal of Eating Disorders, ka zbuluar se shumë njerëz që vuajnë nga çrregullimet e ushqimit, kanë përjetuar rritje të simptomave të tyre gjatë izolimit dhe distancës sociale. Participantët poashtu kanë raportuar rritje të frikës dhe ankthit gjatë krizës, raporton Dazed, shkruan Insajderi.
Sipas rezultateve, impakti i Covid 19 ndryshoi varësisht nga çrregullimi personal i personave. Për shembull, personat që vuanin nga anorexia nervosa, raportuan që po përballeshin me restriktime të ushqimeve dhe me frikën që nuk do të mund të gjenin ushqimet që janë pjesë e dietës së tyre. Ndërsa participantët me bulimia nervosa, thanë se ndjenin një nevojë më të madhe për të e tepruar me ushqim dhe kanë përjetuar tendenca më të shtuara gjatë pandemisë.
Disa të tjerë raportuan edhe raporte konstruktive të pandemisë, ku i kishin përmirësuar raportet me njerëzit me të cilët jetojnë, apo për shkak të mundësisë për të krijuar vetë strukturat kohore.
“Është e rëndësishme që personat që vuajnë nga çrregullimet e të ushqyerit, te ndjehen të mbështetur, përderisa përballen me ndryshime të rutinave, të situatave jetësore, të planeve të kujdesit, terapisë psikike, sepse të gjitha këto mund të jenë nxitës të krizave. Nuk është befasuese që kemi parë rritje, por jemi të gatshëm të mbështesim këdo që ka nevojë në këtë moment,” tha Caroline Price, drejtoreshë e shërbimeve në “Beat”, qendrën për mbështetje të personave me çrregullime të të ushqyerit.
Kjo do të jetë e vështirë sidomos për personat me çrregullime të tilla që jetojnë në Angli, ku kampanja “Better Health”, si pjesë të strategjisë kundër obezitetit ka shënimin e kalorive në meny, që mund të jetë shumë nxitëse për personat me çrregullime të tilla./Insajderi.com