Qindra emigrantë janë bllokuar në një kamp në çadra e dobëta, të djegur në Bosnjë dhe Hercegovinë ndërsa ra bora e madhe dhe temperaturat e dimrit ranë ndjeshëm, transmeton Insajderi.
Refugjatët dhe emigrantët të cilët ishin strehuar në kampin Lipa në veriperëndim të Bosnjës u mbështollën me batanije dhe thasë gjumi të shtunën për t’u mbrojtur nga erërat thumbuese pasi një zjarr shkatërroi pjesën më të madhe të kampit në fillim të kësaj jave, raporton Al Jazeera.
I vendosur afër kufirit me Kroacinë, pranë qytetit Bihaç, kampi ishte kritikuar tashmë ashpër nga zyrtarët ndërkombëtarë dhe grupet e ndihmës si joadekuat për nevojat e atyre që jetojnë në atë kamp.
Disa ditë pas zjarrit, autoritetet boshnjake nuk kanë arritur të gjejnë strehime të reja për refugjatët në Lipa, duke lënë gati 1.000 njerëz jashtë në të ftohtë, pa pajisje dhe nxehtësi, duke ngrënë vetëm pako ushqimore të pakta të siguruara nga grupet e ndihmës.
“Bora ka rënë, temperatura nën zero, pa ngrohje, asgjë”, shkroi shefi i misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në Bosnjë, Peter Van Der Auweraert.
“Kështu nuk duhet të jetojë dikush. Na duhet trimëri dhe veprim politik tani”, tha shefi i misionit.
Një deklaratë e përbashkët e lëshuar të shtunën nga organizata të shumta ndihmëse duke përfshirë Këshillin danez për Refugjatët, UNHCR dhe Agjencinë e Migracionit të Kombeve të Bashkuara u kërkoi autoriteteve të gjejnë një zgjidhje alternative menjëherë.
“Strukturat ende ekzistuese në vendndodhje janë të pasigurta dhe rrezikojnë të shemben, ndërsa reshjet e borës vazhdojnë. Pa ngrohje në vend, ngrirja, hipotermia dhe probleme të tjera të rënda shëndetësore tashmë po raportohen nga ata që janë bllokuar në vend”, thuhet në deklaratë.
“U takon autoriteteve të sigurojnë mbrojtje minimale për ata që janë bllokuar jashtë qendrave të pritjes në përkeqësimin e kushteve të dimrit. Kjo përfshin ata që janë bllokuar në vendndodhjen e Lipës, por edhe rreth 2,000 të tjerë, të detyruar të përpiqen të mbijetojnë në ndërtesa të braktisura dhe kampe të improvizuara”, vazhdohet më tej në deklaratë. /Insajderi.com