Muaji shkurt sjellë një datë të shënuar në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve. Më datë 17 shkurt shënohen plot 13 vite që nga momenti kur Kosova shpall pavarësinë e saj, njofton Insajderi.
Për të festuar këtë ditë të shënuar, FFK-ja ka menduar të organizojë një takim miqësor mes veteranëve të futbollit ‘dardan’ dhe atyre të Shqipërisë, duke bërë bashkë kështu të dyja shtetet shqiptare. Lajmin e përcjell vetë Federata e Futbollit të Kosovës, e cila bën me dije se ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 12:00.
“Në kuadër të shënimit të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 16 shkurt, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të organizohet ndeshja ndërmjet veteranëve të futbollit të Kosovës dhe veteranëve të futbollit të Shqipërisë. Ky aktivitet organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ndeshja fillon në orën 12:00, derisa për shkak të situatës me pandeminë edhe ky event do të zhvillohet pa praninë e tifozëve”, njofton FFK-ja. /Insajderi.com