Marka globale e veturave Nissan ka arritur zyrtarisht edhe në Kosovë. Në një ngjarje të madhe të organizuar në premisat e Auto MITA, të enjten (më 22 shtator) është prezantuar edhe zyrtarisht hapja e përfaqësisë zyrtare të Nissan në Prishtinë, e cila e fillon ciklin e ri të planit të kompanisë për të qenë sa më afër tregut kosovar me modelet më të reja të automjeteve të cilat ajo i ofron në gjithë botën.
Përfaqësia e re e Nissan për Kosovë vjen nga Auto MITA, i cili është përfaqësues zyrtar i Nissan për Kosovë. Këtë vit, Auto MITA po e feston 28 vjetorin e themelimit të biznesit të saj me investimet e reja dhe përfaqësitë zyrtare të Nissan dhe Renault për tregun tonë.
“Lëvizja me automjete është gjëja më e domosdoshme në kohët moderne dhe mobiliteti ynë ka qenë një pjesë e jetës sonë për më shumë se një shekull tani. Në fakt sipas studimeve, në mesatare meshkujt çdo ditë shpenzojnë më shumë kohë në ngasjen e një makine sesa në ushqim, pije, apo edhe rrjete sociale. Por sot Nissan shkon përtej nevojës për të lëvizur. E sotmja që sjell Nissan është përplot me inovacion që ngjallë dhe emocionon. E sotmja është e Nissan, dhe ne po i zbulojmë të gjitha yjet e Nissan në Prishtinë” tha Zgjim Mita, drejtor i Auto MITA në hapjen zyrtare të showroom-it të ri zyrtar.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare të Nissan u shpalosën të gjitha modelet e fundit të Nissan, duke përfshirë modelet për punë sikurse Nissan Navara e deri tek ata ultra-sportiv siç është modeli GTR.
Revolucioni sportiv GT-R tani është në dispozicion në shtëpinë më të re të Nissan në Evropë, përkatësisht në Prishtinë.
Sikur edhe vet slogani “Innovation that Excites”, ceremonia e hapjes së auto-sallonit më të ri ishte përplot inovacion e adrenalinë, e cila ka mbledhur përfaqësuesit më eminent të biznesit dhe shoqërisë civile në Kosovë.