Viti 2017 në sport – momentet më të jashtëzakonshme gjatë vitit [Video]

Viti 2017 në sport – momentet më të jashtëzakonshme gjatë vitit [Video]

Viti 2017, ishte përplot momente të jashtëzakonshme në botën e sportit.

New York Times ka publikuar momentet më dramatike dhe më të paharrueshmet gjatë vitit që po e lëmë pas.

Nga rimeçi i vitit në mes të Federerit e Nadalit, e deri te rikthimi historik i Barcelonës në Ligën e Kampionëve, më poshtë momentet e vitit 2017 në sport, përcjell Insajderi.

Rimeçi i vitit: 29 janar, Australian Open
Rafael Nadal – Roger Federer

Federer e Nadal ishin ndeshur 34 herë, duke krijuar një nga rivalitetet më miqësore në sport. Kësaj radhe, 35-vjeçari Federer, i cili nuk kishte luajtur një turne zyrtar në gjashtë muaj, ia doli të triumfojë. Zvicerani arriti ta mposht spanjollin për titullin e Australian Open, derisa triumfoi edhe tri herë tjera ndaj tij në vitin 2017.

Ndeshja e vitit: 5 shkurt, Super Bowl LI
New England Patriots – Atlanta Falcons

Versioni amerikan i futbollit dhuroi spektakël në Super Bowl LI, ku New England Patriots triumfoi ndaj Atalanta Falcons me rezultat 34-28, pasi po pësonte 3-28 në çerekun e parë – duke arritur të bëjë përmbysje të jashtëzakonshme prej 25 pikëve.

Rikthimi i vitit: 8 mars, Liga e Kampionëve
Barcelona 6-1 Paris Saint-Germain

Barcelona arriti të shkruajë historinë e futbollit, duke bërë rikthimin më sensacional ndonjëherë në futboll. Katalnasit arritën që të riktheheshin në lojë ndaj Paris Saint-Germain në ndeshjen e kthimit të 1/8 të finales, pas humbjes së pësuar me rezultatin e thellë 4:0 në ndeshjen e parë. Blaugranët fituan 6:1 në ndeshjen e kthimit, për t’u kualifikuar në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm.

Gara e vitit: 5 gusht, Kampionati Botëror në Atletikë
100 metra në kategorinë meshkuj

Usain Bolt kishte fituar medalje të arta në kohë rekord. Që prej kur u shndërrua në yll botëror në Olimpiadën e vitit 2008, ai nuk kishte humbur në asnjë kampionat botëror, në finale të 100 apo 200 metrave. Kësaj radhe, legjenda e vrapimit u mposht nga një rival i vjetër amerikan, Justin Gatlin, dhe një rival i ri, Christian Coleman, duke marrë vetëm medaljen e bronztë në 100 metra.

Goli i vitit: 1 janar, Olivier Giroud
Arsenal – Crystal Palace

https://www.youtube.com/watch?v=yH85k6uEcHc

Goli më i bukur i vitit 2017 u shënua më pak se 24 orë pasi kishte filluar viti i ri. Ishte dita e parë e vitit, dhe sulmuesi francez Olivier Giroud e filloi vitin e ri në stil. Ai shënoi një gol të jashtëzakonshëm në stilin ‘akrep’, në fitoren e Arsenalit në Premierligë ndaj Crystal Palace. /Insajderi.com