
Vanessa Bryant, bashkëshortja e legjendës tashmë të ndjerë të basketbollit, Kobe Bryant, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së Bryant dhe të bijës 13-vjeçare, Giannës.
Ajo këtë e ka bërë përmes një shkrimi të publikuar në profilin e saj në rrjetin social Instagram.
Në një shkrim të gjatë të publikuar përkrah një portreti familjar, Vanessa ka falënderuar të gjithë njerëzit që e kanë ngushëlluar këto ditë të vështira për të.
“Vajzat e mia dhe unë dëshirojmë t’i falënderojmë miliona njerëz që na kanë dërguar ngushëllime dhe na kanë dhuruar mbështetje në këtë kohë të tmerrshme. Me të vërtetë kemi pasë nevojë për to”, ka thënë fillimisht ajo.
Më pas, ajo është shprehur se ndihen të shkatërruar nga humbja e bashkëshortit dhe të bijës.
“Jemi krejtësisht të shkatërruar nga humbja e papritur e bashkëshortit tim të dashur, Kobe – babai i mrekullueshëm i fëmijëve tanë, dhe vajzës time të ëmbël e të bukur, Gianna – një vajzë e dashur, e mençur dhe motër e mrekullueshme e Natalias, Biankas dhe Capri”.
“Nuk ka fjalë mjaftueshëm të përshkruajmë dhimbjen tonë tani. Por, më ngushëllon fakti që Kobe dhe Gigi, e kanë ditur se sa shumë janë dashur. Kemi qenë të bekuar që i kemi pasur në jetën tonë. Do të dëshiroja që ata të ishin këtu me ne gjithmonë”, ka shkruar ndër të tjera Vanessa.
“Nuk e di se ku nuk do ta çojë jeta pas të sotshmes, por është e pamundur të imagjinohet jeta pa ta. Por ne zgjohemi çdo ditë, duke tentuar të shtyjmë veten para sepse Kobe, dhe vajza jonë, Gigi, po na ndriçojnë rrugën nga lart. Dashuria jonë për ta është e pafund – e pamatshme. Unë vetëm do të dëshiroja që të isha në gjendje t’i përqafoj dhe t’i puth e t’i bekoj. T’i kem këtu me ne, përgjithmonë”, ka shkruar ajo.
Legjenda e basketbollit, Kobe Bryant dhe vajza e tij Gianna, humbën jetën më 26 janar në një aksident ajror, kur helikopteri që kishte në bord edhe shtatë persona të tjerë u përplas në një kodër, në afërsi të Los Anxhelosit.
Kobe, 41-vjeçar la pas vetes bashkëshorten dhe tri vajzat e tjera.