Vladimir Putin viziton Stambollin, takohet me Erdoganin

Vladimir Putin viziton Stambollin, takohet me Erdoganin

Presidenti rus Vladimir Putin po viziton Stambollin për të inaguruar një tubacion të ri gazi mes dy vendeve. Bashkëpunimi energjitik është themeli i një afrimi në rritje mes Rusisë dhe Turqisë, e cila është anëtare e NATO-s. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, gjatë vizitës dy udhëheqësit pritet të trajtojnë mosmarrëveshjet në rritje në marrëdhëniet e tyre dypalëshe, për çështje që fillojnë nga Siria e deri në Libi.

Presidenti Vladimir Putin tha se marrëveshja e fundit e energjisë mes Rusisë dhe Turqisë është një shembull i “bashkëveprimit dhe bashkëpunimit” nga i cili përfiton “e gjithë bota”.

Duke folur në një ceremoni në Stamboll, presidenti rus prezantoi linjën e dyfishtë të gazit natyror që lidh të dy vendet dhe hapjen e një rruge të re eksporti për gazin rus në Turqi dhe Evropë.

Turqia, si një treg dhe vend tranzit për energjinë ruse, është themeli i lidhjeve bilaterale, thonë ekspertët.

“Bashkëpunimi në fushën e energjisë është në krye të axhendës bilaterale turko-ruse. Është e rëndësishme sepse ne nuk jemi një vend i pasur me naftë apo gaz dhe jemi mjaft të varur nga gazi dhe nafta e importuar”, thotë Mithat Rende, ekspert i energjisë.

Por ka tensione dypalëshe në rritje pasi Turqia përballet me një eksod të ri të refugjatëve sirianë shkaktuar nga një ofensivë e forcave të Damaskut të mbështetura nga Rusia.

Lufta civile në Libi është një tjetër pikë e nxehtë. Erdogan po dërgon ushtarë në mbështetje të qeverisë me bazë në Tripoli, e cila po lufton forcat e gjeneralit Khalifa Haftar të mbështetur nga mercenarët rusë të lidhur me Kremlinin.

Lidhja e natyrshme personale e raportuar gjerësisht mes Erdoganit dhe Putinit ka kapërcyer mosmarrëveshjet e mëparshme të politikës. Ekspertët thonë se lidhja mes tyre ka të ngjarë të përdoret përsëri në rivalitetet e fundit të përshkallëzimit.

“Të dy udhëheqësit takohen shumë shpesh. Duket se shkojnë shumë mirë. Prandaj është e rëndësishme të përpiqemi të mbajmë një dialog që synon të ngushtojë dallimet dhe të përpiqemi të gjejmë një emërues të përbashkët në interes të njerëzve të rajonit dhe interesat e Sirisë në tërësi”, thotë eksperti Mithat Rende.

Stambolli është në mesin e një stuhie dimri.

Por Erdogani dhe Putinin, me sa duket shpresojnë se moti nuk do të jetë një ogur i keq për bisedimet e tyre.