Para ndeshjes së nesërme kundër Greqisë për grupet e Ligës së Kombeve, ka folur edhe anësori i Torinos, Mërgim Vojvoda, njofton Insajderi.
Vojvoda në konferencën për shtyp, e ka bërë të qartë edhe pse me shumë mungesa, “Dardanët” kanë udhëtuar në Greqi për fitore. “Nesër (e mërkure) do të jap maksimumin që të fitojmë takimin ndaj Greqisë. Unë jam në gjendje të mirë dhe jam i gatshëm të jap maksimumin”, tha Vojvoda.
“Nëse Greqia mendon se mund të fitojë lehtë ndaj nesh, ne na lehtëson punën, pasi ne jemi të përgatitur dhe nuk e nënçmojmë askënd, do të flasim në fushë. Më shumë se lojtarët askush nuk dëshiron të fitojë, nuk kemi ardhur këtu që të flemë, por të fitojmë”, tha mbrojtësi i Kosovës.
Në fund të fjalës së tij në konferencë, Vojvoda ka kërkuar nga tifozët që të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, “duhet me e ditë se është pandemia dhe ka shumë faktorë që kanë ndikuar. I lus tifozët që t’i rrinë prapa ekipit”, ka përfunduar fjalën e tij mbrojtësi i transferuar këtë verë në Serie A, te Torino. /Insajderi.com