“Vrasësi i Twitter-it” pranon fajësinë për vrasjet

Një japonez është deklaruar fajtor për vrasjen e nëntë njerëzve pasi i kontaktoi ata në Twitter, në një çështje të profilit të lartë që ka tronditur vendin.

“Vrasësi i Twitter-it” pranon fajësinë për vrasjet

I quajtur “vrasësi i Twitter-it”, Takahiro Shiraishi u arrestua në vitin 2017 pasi pjesë të mbetura njerëzore u gjetën në banesën e tij, shkruan CNN, transmeton Insajderi.

Ai i tha një gjykate në Tokio të mërkurën se akuzat kundër tij “janë të gjitha të sakta”.

Por avokatët e tij argumentojnë se akuzat duhet të zvogëlohen sepse viktimat e tij me sa duket dhanë pëlqimin për t’u vrarë.

Nëse dënohet për vrasje, Shiraishi përballet me dënimin me vdekje, i cili kryhet me varje në Japoni.

Çështja gjyqësore ka tërhequr interes të gjerë, me më shumë se 600 njerëz të rreshtuar për 13 vende në galerinë publike për të parë seancën e parë të mërkurën, njoftoi transmetuesi publik NHK.

Çfarë ndodhi?

Prokuroria thotë se i akuzuari hapi një llogari në Twitter në mars 2017 “për të kontaktuar gratë që mendojnë për vetëvrasje, të cilat ai i pa si shënjestra të lehta”, tha NHK.

Tetë nga viktimat e tij ishin gra, njëra prej tyre ishte e moshës 15 vjeçare.

Viktima e vetme mashkull, 20 vjeçar, u vra pasi u përball me Shiraishi për vendndodhjen e të dashurës së tij, raportuan mediat japoneze.

29-vjeçari besohet se ka joshur viktimat e tij duke u thënë atyre se mund t’i ndihmonte të vdisnin dhe në disa raste pretendoi se do të vriste veten përkrah tyre.

Profili i tij në Twitter përmbante fjalët: “Unë dua të ndihmoj njerëzit që kanë vërtet dhimbje. Ju lutem më shkruani në DM [mesazh direkt] në çdo kohë”.

Vrasjet serike së pari dolën në dritë kur policia po hulumtonte zhdukjen e një gruaje të re, e cila më vonë doli të ishte një nga viktimat.

Oficerët vizituan banesën e Shiraishi në qytetin japonez të Zama, afër Tokios, ku gjetën pjesë të copëtuara të trupave. /Insajderi.com