Vushtrri, 7 milionë euro investim për krijim të mbi 200 vendeve të reja të punës

Vushtrri, 7 milionë euro investim për krijim të mbi 200 vendeve të reja të punës

Komuna e Vushtrrisë sot ka aprovuar kërkesën dy investitorë të jashtëm në ndërtimin e një fabrike në Vushtrri

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë i ka dhënë dritën e gjelbër një projekti investiv të jashtëm për ndërtimin e një fabrike të përpunimit të peshkut të detit në Vushtrri. Për këtë qëllim me unanimitet të plotë Kuvendi Komunal i Vushtrrisë i ka dhënë mbështetje të plotë dhe i ka dhenë në shfrytëzim tokën komunale kompanisë vushtrriase “Emona SHPK” dhe asaj kroate “Conex”, për ndërtimin e fabrikës.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha se me këtë projekt parashihet punësimi i rreth 500 grave kryesisht nga Komuna e Vushtrrisë. Prandaj ai tha se Komuna e Vushtrrisë do të ofroj gjithë mbështetjen e saj për realizimin e këtij investimi shumë serioz nga dy kompanitë, ajo kroate dhe spanjolle.

“Projekti i kompanisë Emona Group bashkë me investitorët kroat “Conex” dhe partnerët e tyre spanjoll parasheh investim mbi 7 milion euro në një fabrikë për përpunimin e paketimin e peshkut në Vushtrri”, ka thënë Tahiri.

Përfaqësuesi i kompanisë kroate, Mladen Milakovic, thotë se në këtë projekt do të investoj bashkë me një kompani spanjolle, e cila edhe e ka siguruar tregun e plotë për produktet e peshkut. Ai tha se në fabrikë do të punësoj rreth 208 punëtorë vushtrrias, derisa me rritjen e kapaciteteve mendon që numri i të punësuarve kryesisht gra pritet të arrijë 400 deri në 500 punëtorë.

Ndërsa përfaqësuesi i Kompanisë vushtrriase “Emona SHPK” e cila edhe e ka bindur partnerin e saj që të investoj në Vushtrri, tha se pret mbështetje dhe lehtësira nga Komuna dhe Qeveria e Kosovës, në krijimin e kushteve që të fillojnë investimet e më pas edhe puna në fabrikë./Gazeta Insajderi/