Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur me një tjetër ide për Rimëkëmbje Ekonomike, njofton Insajderi.
Albin Kurti gjatë bisedave me ekonomistë ndërkombëtarë kishte kritikuar idenë e tërheqjes 10% të trustit pensional.
Alternativa e kësaj është; mundësia që qytetarët të marrin kredi pa kamatë dhe normën e interesit ta paguajë shteti.
Këtë ide e ka prezantuar ish-ministri i Financave në Qeverinë Kurti, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTV Dukagjini.
Ai ka thënë së një kredi e tillë do t’i ndihmonte shumë familje e njëkohësisht do t’i mundësonte bankave të qarkullonin mjetet e tyre financiare të pashfrytëzuara.
Vlera e kredisë sipas tij do të jetë 900 euro, ndërsa kosto që i ngarkohet shtetit për kryerjen e kamatave është 20 milionë euro – në bazë të këtij propozimi.
“Secila prej këtyre 350 mijë familjeve do të mund të merrnin kredi me 0% interes për pesë vite deri në 900 euro pra sa dy paga mesatare në Kosovë. Pra masa e kredisë do të ishte e barabartë për të gjithë. Kostoja që shteti do të barte për të mbuluar interesin bankar do të ishte 20 milionë euro”, tha Bislimi. /Insajderi.com