Washington Post citon historianin britanik: Handke një mbrojtës famëkeq i regjimit vrastar të Millosheviqit

Washington Post citon historianin britanik: Handke një mbrojtës famëkeq i regjimit vrastar të Millosheviqit

Gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post”, i ka kushtuar një artikull reagimeve kundërshtuese që janë bërë pasi autori austriak pro-regjimit të Millosheviqit, Peter Handke, është shpallur si fitues i çmimit Nobel për letërsi nga Akademia Suedeze.

Këto reagime nga shumë personalitete të ndryshme kanë ardhur për faktin se Handke është një shkrimtar i cili në të kaluarën ka përkrahur regjimin e Sllobodan Millosheviqit, raporton Gazeta Express.

“Ky është vendimi më ofendues i mundshëm”, ka thënë ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.

Tutje Selimi ka thënë se “Çfarë mund të pritet? Assadi për Çmimin (Nobel) për Paqe?”.

Në këtë shkrim të WP është përfshirë edhe reagimi i Ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, e cila e ka quajtur Handke-n si një “propagandues të urrejtjes etnike dhe dhunës”, duke ia bashkëngjitur këtij reagimi edhe një fotografi të Handke në funeralin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 2006.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, shqiptari nga Kosova, Gent Cakaj, në twitter ka thënë se ky çmim Nobel ka shkuar “për një shërbyes të gjenocidit”.

Përveç Selimit dhe Çitakut, kanë reaguar edhe shkrimtarë e akademikë të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth këtij vendimi të Akademisë Suedeze.

Historiani Orlando Figes ka thënë se është shumë i tronditur që Handke ka fituar Nobelin, duke e përshkruar Handken si një “ mbrojtës famëkeq të regjimit vrastar të Sllobodan Millosheviq”.