Wolfsburgu po e vëzhgon Amir Rrahmanin

Wolfsburgu po e vëzhgon Amir Rrahmanin

Klubi i famshëm gjerman Wolfsburg po e vëzhgon situatën e mbrojtësit kosovar që luan te Rnk Spliti Amir Rrahmanit, raporton Insajderi.

Mbrojtësi 21-vjeçar jo vetëm që është titulluar i padiskutueshëm në formacionin e skuadrës kroate, por konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të këtij edicioni në kampionatin kroat, duke qenë i pranishëm disa herë në formacionin e javës në Kroaci.

Në takimin e fundit që RNK Spliti e fitoi 1-0 me Zagrebin, futbollisti shqiptar dhe Ante Majstorovic, një tjetër talent i kësaj skuadre, u vëzhguan nga menaxheri gjerman Pierre Littbarski, i cili punon për llogari të Wolfsburgut, njoftojnë mediat kroate.

Mediat kroate raportojnë se ish-futbollisti i kombëtares gjermane ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e Rrahmanit, ndaj nuk përjashtohet mundësia që gjatë afatit kalimtar të verës klubi gjerman të bëjë ofertë konkrete për të.

Rrahmani ka zhvilluar 20 ndeshje në elitën e futbollit kroat gjatë këtij sezoni dhe në të gjitha rastet është aktivizuar titullar. Ai më herët ka luajtur për Ramiz Sadikun e Drenicën në Kosovë dhe Partizanin në Shqipëri.