Wolves eliminon Liverpool nga Kupa e Anglisë

Wolves eliminon Liverpool nga Kupa e Anglisë

Raundi i 1/16-ve i Kupës së Anglisë ka filluar me një rezultat befasues, pasi Liverpool është eliminuar nga Wolves, që ka fituar 2-1 në fushën e “Të Kuqve”.

Ky rezultat ka hapur zyrtarisht krizën e skuadrës së Jurgen Klopp që ka fituar vetëm një ndeshje në tetë takimet e fundit të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.

Për më tepër, kjo ka qenë humbja e tretë radhazi e pësuar nga Liverpool, që, para sfidës së sotme është mundur në kampionat 3-2 nga Swansea, më pas është eliminuar në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës nga Southampton. Të tri këto përballje janë luajtur në “Anfield Road”.

Në ndeshjen e sotme, gjithçka është vendosur në 45 minutat e para. Një minutë lojë i ka mjaftuar ekipit të kategorisë së dytë të futbollit anglez për të gjetur rrugën e golit me Stearman. Ndërsa goli i dytë, që ka mbyllur ndeshjen, ka ardhur katër minuta para fundit të pjesës së parë dhe është realizuar nga Weimann, i cili ka realizuar golin e tij të tretë në katër ndeshjet të luajtura në fushën e Liverpool (dy me Aston Villa dhe 1 me Wolves).

Katër minuta para fundit të takimit, vendasit kanë ngushtuar diferencat me Origi, por nuk kanë arritur të gjejnë golin e barazimit dhe të shmangin eliminimin.

Një nga arsye e kësaj humbje befasuese ka qenë edhe nëntë ndryshimet të bëra në formacion nga Klopp, i cili duket se ka menduar më shumë për ndeshjen e kampionatit që do të luajë kundër Chelsea-it në mesjavë se sa për kupën.