Xhaka e Mustafi në dyshim për ndeshjen ndaj Manchester United

Xhaka e Mustafi në dyshim për ndeshjen ndaj Manchester United

Arsene Wenger po përgatitet që të luajë ndeshjen e 58 në karrierë kundër Manchester United, këtë të dielën, me rivalin ndaj të cilit ka përqindjen më të ulët të fitoreve, saktësisht 29%.

Tekniku i Arsenalit nuk ka fituar asnjëherë ndaj homologut Jose Mourinho në Premier League, por këtë fundjavë nuk do të jetë hakmarrja motivim, pasi në fokus është Champions League.

Të dy ekipet luftojnë për një vend në edicionin e ardhshëm të Kupës me “veshë të mëdhenj”, me londinezët që gjenden larg tokës së premtuar dhe shpresojnë në gabimet e vendeve të para. Një humbje potenciale në “Emirates Stadium” do ta linte Arsenalin 8 pikë larg United, me “djajtë e kuq” që kanë edhe një “portë” shtesë të hapur për Championsin, aty ku mund të hyjnë nëse fitojnë Europa League.

Granit Xhaka është një dilemë e madhe për trajnerin Arsen Wenger. Kosovari që luan përfaqësuesen e Zvicrës ka një problem me kaviljen dhe nuk dihet nëse do ta nisë nga minuta e parë sfidën londineze.

Një tjetër shqiptar, në një tjetër kombëtare dhe që luan me Arsenalin, me të gjitha gjasat do të mungojë të dielën. Shkodran Mustafi rinisi stërvitjen me “topçinjtë”, por trajneri Wenger nuk do ta rrezikojë lojtarin nga Gostivari për 90-minutëshin me Manchester United.

Në një formacion hipotetik të Arsenalit, Danny Welbeck pritet të kryesojë sulmin ndaj “djajve të kuq”, me disa ndryshime krahasuar me derbin në “White Hart Lane”.