Futbollisti i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka, ka pranuar se ëndrra e tij është të luaj në Premier Ligë.
Futbollisti me origjinë shqiptare ka tërhequr interesimin e Arsenalit dhe të Liverpoolit, me këtë te fundit që është e gatshme të përgatisë një ofertë rekord te klubit, për të sjellë 23-vjeçarin ne Anfield, njofton tabloidi anglez Express.co.uk, përcjell Insajderi.
Xhaka së fundmi është bërë edhe kapiten i skuadrës, duke e ndihmuar klubin gjerman të ngjitet në vendin e katërt në tabelë.
Ish-futbollisti i Baselit e ka pranuar vetë se është i interesuar të kalojë në Premier Ligë, në një të ardhme të afërt.
“Unë e kam një ëndërr të fëmijërisë, dhe ajo është të luaj në Premier Ligë”, tha Xhaka në një intervistë për sajtin gjerman, Torfabrik.de.
Mesfushori ndër të tjera shprehu admirim për të dyja klubet e mëdha angleze që interesohen për të.
Për mesfushorin i interesuar prej kohësh është edhe gjigandi gjerman, Bayern Munich, të cilët e konsiderojnë reprezentuesin zviceran si zëvendësuesin adekuat të Xabi Alonsos, i cili pritet të largohet nga Bavarezët në fund të këtij edicioni.