Xhudisti egjiptian, Islam El Shehaby, ka marrë fishkëllima nga publiku gjatë garës në Rio, ku po mbahen Lojërat Olimpike Verore, pasi ka refuzuar sot që t’ia zgjasë dorën kundërshtarit të tij nga Izraeli, Or Sasson.
Pasi humbi nga Sasson në rrethin e parë të garës në kategorinë 100 kilogramë, Shehaby ishte aq i zhgënjyer, saqë fillimisht as nuk ngrihej nga toka. Kur Sasson ia zgjati dorën, egjiptiani refuzoi ta përshëndeste dhe iku nga skena, duke e tundur kokën.
Shehaby nuk ka dashur ta komentojë sjelljen e tij, pas garës. Izraeli shihet si vend armik nga shumë vende arabe.