Palestra sportive “Arena Stozice” do të mirëpresë një ndeshje historike të mërkurën, pasi përfaqësuesja e basketbollit të Kosovës do të përballet për herë të parë në një ndeshje zyrtare, dhe atë ndaj Sllovenisë në Lubjanë.
Derisa Kosova ka informacion të mjaftueshëm për përfaqësuesen sllovene, e cila ka emra të mëdhenj në përbërje, përfshirë edhe yllin e skuadrës Goran Dragiç, i cili paraqitet në NBA me Miami Heat, sllovenët nuk e kanë idenë se çfarë përfaqësuese është Kosova.
30-vjeçari Dragiç tha sot se Sllovenia nuk e njeh pothuajse fare Kosovën, duke u shprehur se “ Kosovës nuk ia njohim as ngjyrat e fanellës”.
“Sinqerisht nuk e njoh reprezentacionin e Kosovës. Ne nuk e dimë se çfarë ngjyre kam. Sigurisht që ata duhet të dinë të luajnë basketboll, dhe duke qenë se është ndeshja e tyre e parë në histori, ata do të japin gjithçka nga vetja e tyre”, tha Dragiç për mediumin slloven Ekipa24, raporton Insajderi.
Kosova ne kualifikueset e “Eurobasket 2017” ndodhet në grup me Slloveninë – e cila është favorite për tu kualifikuar, Ukrainën dhe Bullgarinë.
Ndeshja e parë zhvillohet të mërkurën në Lubjanë ndaj Sllovenisë, ndërsa takimin e dytë do ta zhvillojë të dielën ndaj Ukrainës në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë. /Insajderi.com