Largimi i lojtarëve si Mendurim Hoti, Yll Hoxha, Ilir Avdyli e shumë emra të tjerë nga klubi futbollistik Feronikeli, ka bërë që në opinionin e gjerë të qarkullojnë zëra rreth gjendjes aktuale te skuadra nga Drenasi.
Drejtori gjeneral i këtij klubi, Artan Berisha, në një intervistë për Gazetën Online “Insajderi.com” ka treguar arsyen e largimit të lojtarëve.
Ai thotë se ndër arsyet kryesore të largimit të këtyre lojtarëve është skadimi i kontratës dhe ofertat që kanë pasur nga klubet tjera.
“Ne nuk kemi shitur asnjë lojtar, atyre u ka përfunduar kontrata, kanë pasur oferta nga klube tjera, kanë dashur të kenë sfida tjera, ne nuk është se kemi larguar ndonjë lojtar me marrëveshje me ndonjë klub, të gjithë lojtarëve u ka skaduar kontrata aktuale me klubin”, tha Berisha derisa tregoi edhe se si do të përfaqësohet Feronikeli edicionin e ardhshëm në Superligë.
Transferimi i disa lojtarëve që sipas tij janë të nivelit mesatar, do të jetë një ndër taktikat e klubit sa i përket përfaqësimit të merkatos së ardhshme.
“Do të mundohemi të gjejmë kombinim mes disa lojtarëve me përvojë dhe atyre nga akademia, do të bëjmë disa transferime të lojtarëve të nivelit më mesatar, jo të nivelit të lartë si ekipet tjera”.
Duke parë ‘gjendjen’ aktuale në ekip, drejtori gjeneral i këtij klubi tregoi edhe objektivat që ka Feronikeli për edicionin e ardhshëm.
“Edicionin e ardhshëm nuk do të kemi objektiv të shpallemi kampion siç kemi pasur herave tjera, mendojmë që në tabelën e Superligës të përfundojmë menjëherë pas 4-5 ekipeve të mëdha në ligë”.
Arton Hajdari është emri kryesor, i cili pritet të marrë drejtimin e klubit si trajner. Berisha nuk e mohon se këto spekulime mund të përkthehen në një vendim zyrtar.
“Nuk kemi ende diçka zyrtare, gjatë kësaj jave planifikojmë për pozitën e trajnerit, Artoni mund të jetë njëri prej emrave që mund të marr këtë post, ai ka qenë ish-lojtar i klubit tonë, trajneri i juniorëve, por ende nuk mund të them se ka diçka zyrtare, ndërsa stërvitjet do të fillojnë me 10 korrik së bashku edhe me trajnerin e ri”.
Lulzim Dushlaku i KEK-ut dhe Qemail Elshani i Drenicës janë vetëm disa nga emrat që janë përfolur për një kalim të mundshëm te klubi nga Drenasi, Berisha thotë se veç kanë pasur kontaktet e para me dy futbollistët.
“Kemi pasur kontatet e para me lojtarët, normalisht që ata do t’i shikojnë mundësit e tyre, unë personalisht kam kontaktuar me të dy, por zyrtarizimi do të vije javën e ardhshme, duke filluar nga trajneri dhe zëvendës-trajneri, pastaj do të zyrtarizohen edhe disa lojtar”, tha ai.
Gjatë edicionit të kaluar, Feronikeli nuk kaloi formë mjaft të mirë në ligë, pasi u rendit në vendin e shtatë. Vetëm golaverazhi më i mirë se i Trepçës ’89 e mbajti klubin jashtë barazhit. /Insajderi.com