Dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga raketat balistike iraniane. Televizioni shtetëror iranian thotë se sulmi është ndërmarrë si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit.
Pentagoni thotë se dy bazat e ushtrisë amerikane u sulmuan, në Irbil dhe Al Asad. “Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë.
Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi ishte si hakmarrje për vdekjen e Soleimani të Premten.
Ndërkaq, një fotografi e publikuar nga mediet iraniane, shfaq liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, në dhomën ku u dha urdhri për operacionin goditës ndaj dy bazave amerikane në Irak.