Arsenal do të ofrojë 30 milionë paundë (35 milionë euro) për të marrë mbrojtësin Shkodran Mustafi nga Valencia, gjatë kësaj jave.
Topçinjtë janë gjithashtu të interesuar për Jonny Evans të WBA, por do të lëvizin për ish-mbrojtësin e Manchester United, vetëm nëse oferta e tyre për Mustafi refuzohet. Valencia pretendon 45 milionë euro për futbollistin me origjinë kosovare, i cili aktivizohet me kombëtaren e Gjermanisë.
Wenger nuk do të ketë asnjë qendërmbrojtës të mirëfilltë në dispozicion për ndeshjen e parë të sezonit, të dielën kundër Liverpool, duke qenë se u dëmtua edhe Gabriel, në miqësoren e fituar kundër Manchester City.
Megjithatë, “Daily Mail” shkruan se bisedimet me Valencia për Mustafi janë në një fazë të avancuar dhe për 35 milionë, plus disa bonuese që mund të shkojnë deri në 40 milionë euro, pritet të arrihet marrëveshja. /Insajderi.com