Zbuluesit e Hepatit C fitojnë Çmimin Nobel për mjekësi

Zbuluesit e Hepatit C fitojnë Çmimin Nobel për mjekësi

Tre shkencëtarët që zbuluan virusin Hepatiti C kanë fituar Çmimin Nobel 2020 në Mjekësi ose Fiziologji.

Fituesit janë shkencëtari britanik Michael Houghton dhe studiuesit amerikanë Harvey Alter dhe Charles Rice, shkruan BBC, raporton Insajderi.

Komiteti i Çmimit Nobel tha se zbulimet e tyre “shpëtuan miliona jetë”.

Virusi është një shkak i shpeshtë i kancerit të mëlçisë dhe arsyeja kryesore pse njerëzit kanë nevojë për një transplant të mëlçisë.

Në vitet 1960, ekzistonte shqetësimi i madh se njerëzit që merrnin gjak të dhuruar po merrnin hepatit kronik (inflamacion të mëlçisë) nga një sëmundje e panjohur, misterioze.

Komiteti i Çmimit Nobel tha se një transfuzion gjaku në atë kohë ishte si “ruletë ruse”.

Testet tepër të ndjeshme të gjakut nënkuptojnë se raste të tilla tani janë eliminuar në shumë pjesë të botës dhe gjithashtu janë zhvilluar ilaçe efektive anti-virale.

“Për herë të parë në histori, sëmundja tani mund të shërohet, duke rritur shpresat për çrrënjosjen e virusit të Hepatitit C nga bota,” tha komiteti i çmimit.

Sidoqoftë, virusi ende infekton 70 milion njerëz në vit dhe vret rreth 400,000./Insajderi.com