Rusia sot tha se arrestimi i liderit opozitar Alexey Navalny është çështja e saj e brendshme, transmeton Insajderi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk do të marrë parasysh kritikat nga Perëndimi, por është e interesuar për marrëdhënie të mira me vendet e tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Peskov gjithashtu tha se çështja Navalny nuk kërkon vëmendjen e veçantë të presidentit Vladimir Putin pasi të gjitha të drejtat e qytetarëve rusë janë të garantuara me ligj.
Një gjykatë ruse vendosi të hënën që Navalny do të mbahet në paraburgim deri më 15 shkurt, më pak se 24 orë pas kthimit të tij në vend.
Navalny, i cili u trajtua në Gjermani pas helmimit të dyshuar, u arrestua në kryeqytetin rus Moskë pas kthimit të tij të dielën në mbrëmje. Ai u mbajt në një stacion policie në qytetin Khimki. Navalny, 44-vjeçar, një kritik i ashpër i Putinit, u sëmur gushtin e kaluar në një fluturim për në Moskë.
Pas një uljeje emergjente në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus përpara se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Pas testimeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë theksuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në këtë rast dhe pretendojnë se armët kimike nuk janë zhvilluar dhe prodhuar nga Rusia që kur raundi i fundit kimik u shkatërrua në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike. /Insajderi.com