Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se do të vendosin sanksione gjithëpërfshirëse ndaj qeverisë së Bjellorusisë e cila uli me “forcë” avionin e pasagjerëve të kompanisë Ryanair dhe arrestoi një gazetar bjellorus, transmeton Insajderi.
Psaki nëpërmjet një deklarate me shkrim njoftoi se administrata e SHBA-së në mënyrë të koordinuar me aleatët e tjerë është përgatitur që të vendosin sanksione ndaj Bjellorusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ulja e një avioni tregtar të Ryanair nga Bjellorusia derisa fluturonte mes dy vendeve të Bashkimit Evropian dhe arrestimi i gazetarit bjellorus Roman Pratasevich është fyerje e drejtpërdrejt e normave ndërkombëtare”, tha Psaki duke nënvizuar çështjen e sanksioneve.
Ajo bëri të ditur se në listën e sanksioneve janë rivendosur 9 kompani bjelloruse të cilat kishin pësuar më parë nga sanksionet e 3 qershorit. Psaki theksoi se bashkë me aleatët evropianë vazhdojnë përgatitjet e sanksioneve gjithëpërfshirëse që do të vendosin në objektiv qeverinë e Aleksander Lukashenkos.
Ngjarja e avionit të udhëtarëve të Ryanair
Avioni i Ryanair që udhëtonte nga Greqia në Lituani me 123 pasagjerë në bord, kreu ulje emergjente më 23 maj në aeroportin e Minskut pas një denoncimi për bombë derisa ndodhej në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.
Gjatë kontrollit të avionit në aeroport u arrestua Roman Pratasevich, shtetasi bjellorus që njihej me identitetin e opozitarit, themeluesi i një llogarie të medias sociale nga ku drejtoheshin protestat e paligjshme në vend dhe i cili kërkohej në Bjellorusi me arsyetimin e përfshirjes në ngjarje terroriste.
Pas kontrolleve të nevojshme u theksua se denoncimi për bombë ishte i pavërtetë dhe avioni u largua nga aeroporti i Minskut dhe bëri ulje në Vilnius. /Insajderi.com