Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Kosova duhet të gjejë mënyrën për shmangien e vendosjes së masave tarifore apo reciprocitetit ndaj shteteve të tjera, për të mos u përballur me reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, sikurse rasti i vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave Serbe në vitin 2018, transmeton Insajderi.
Zeka thotë se Kosova dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të orientuara për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore që është edhe parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian.
Qeveria Kurti ka paralajmëruar disa herë se ndaj Serbisë do të vendosë masën e reciprocitetit, por pasi “të shteren të gjitha mundësitë tjera”. Sipas Zekës, në rast të vendosjes së kësaj mase, përfitimet do të ishin më të pakta se pasojat negative, raporton EO.
“Duke i ditur reagimet që partnerët tanë ndërkombëtar kanë pasur në vitin 2018 pas vendosjes së masës tarifore prej 100% karshi dy shteteve të Ballkanit Perëndimor po edhe më vonë zëvendësimit të saj me reciprocitetin që po ashtu ka nxitur të njëjtin reagim edhe kërkesën për shfuqizim e çfarëdo barriere qoftë tarifore atëherë natyrisht që nuk do të duhej të mendohej për masa të tilla të cilat do të mund të nxisnin reagim të njëjtë. Tek e fundit edhe Kosova dhe shtetet e Ballkanit perëndimor janë të orientuara për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore që është e dhe parakusht për integrimin në BE”, ka thënë ai.
Më tej, ai tha se problemet që ekzistojnë ndërmjet shteteve të Ballkanit në aspektin e tregtisë duhet të zgjidhen përmes mekanizmave që janë paraparë me marrëveshjen CEFTA-s.
“Masa të tilla të njëanshëm nuk janë zgjidhje dhe nuk i shërbejnë marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore. Në aspektin ekonomik natyrisht që do të kishe përfitime ngjashëm siç ka pasur në vitin 2018-2019 ku në të gjitha aspektet e tjera negative mbipeshojnë në çfarëdo përfitimi të mundshëm afatshkurtër. Do të kishte ndikime pozitive, do të krijohej mundësia për plasimin e produkteve vendore për zëvendësimin e atyre të importuara, por në këndvështrim më të përgjithshëm e të gjerë, përfitimet e mundshme në aspektin ekonomik do të ishin shumë më të vogla se pasojat tjera negative. Reciprociteti duhet të shihet krejt si mundësi e fundit siç parashihet me marrëveshjen CEFTA, por duhet të shterohen të gjitha rrugët e mundësitë tjera përmes dialogimit e shfrytëzimit të mekanizmave të ndryshëm”, është shprehur tutje Zeka. /Insajderi.com