Zelanda e Re dhe Australia nisin rihapjen graduale

Australia dhe Zelanda e Re janë nga të paktat vende që arritën ta kontrollojnë pa shumë pasoja përhapjen e koronavirusit, dhe tashmë kanë nisur të lehtësojnë regjimin e masave të karantinës. Australia gjatë 24 orëve të fundit regjistroi vetëm një rast infektimi nga burim i panjohur, dhe 12 në total.

Zelanda e Re dhe Australia nisin rihapjen graduale

Për autoritetet, kjo është një fitore e rëndësishme që nënkupton jo vetëm uljen e kurbës së pandemisë por edhe konsolidimin e shtrirjen e saj. Australia ka regjistruar rreth 6700 raste me COVID-19 dhe 85 vdekje. Gjatë javës së fundit, vetëm 100 persona janë infektuar, mes testimeve masive. Një sukses i vërtetë po rezulton aplikacioni “CovidSafe”, i cili monitoron rastet me koronavirus. Menjëherë pas publikimit, ai u shkarkua nga më shumë së 1 milion njerëz. Përdoruesit njoftohen nëse kanë qenë për më shumë se 15 minuta në kontakt të afërt me një përdorues tjetër që ka rezultuar pozitiv.

Plazhi i famshëm i Bondit, hapi sërish dyert për qytetarët të cilët nxituan ti riktheheshin notit dhe sërfit.

Zelanda e Re hyri në një fazë të re, me më pak kufizime, pasi njoftoi se e kishte fituar betejën me pandeminë. Niveli i kërcënimit u ul nga katër në tre, disa biznese jothelbësore dhe shkollat rihapën dyert të martën.

Rreth 400 mijë njerëz iu rikthyen punës, e megjithatë rregullat e distancimit social do të vazhdojnë të jenë në fuqi, falë izolimit dhe mbylljes së shpejtë Zelanda arriti ta frenojë herët pandeminë, me më pak se 1500 të infektuar dhe 19 viktima.