Zeneli: Krijuam raste të mira, por na mungoi fati

Zeneli: Krijuam raste të mira, por na mungoi fati

Pas ndeshjes, mes Kosovës dhe Sllovenisë, ku “Dardanët” pësuan humbje, në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka reaguar anësori i Kosovës, Arbër Zeneli, njofton Insajderi.

Që nga lëndimi që kishte pësuar qysh para një viti, Arbër Zeneli, nuk është më ai i mëparshmi, ngase pas lëndimit ishte koha e pandemisë dhe karantinimit, kohë që gjatë kësaj periudhe mungoi përgatitja fizike e lojtarit dhe vetëm nga muaji qershor, Zeneli filloi stërvitjet e para.

Duke qenë që akoma nuk është i gatshëm 100%, edhe produktiviteti i tij për Kosovën nuk është akoma në nivelet e pritshme për lojtarin që i vetëm mposhtte kundërshtarët e Kosovës në Ligën e Kombeve të divizionit D.

Pas disfatës së mbrëmshme (të dielën), nga Sllovenia, Arbër Zeneli ka reaguar me një status në faqen në tij zyrtare në Facebook, duke thënë: “Krijuam shumë shanse të mira dhe na mungoi fati. Unë jam i gatshëm të luajë çdo herë për Kosovën. U mundova edhe në këtë takim të jap më të mirën, mirëpo nuk na shkoi siç duhej”.

Duke qenë që tani ka filluar të aktivizohet më shumë te skuadra e tij në Francë, Reims, dhe luan që nga minuta e parë me Kosovën, Zeneli do të jetë në 100% e formës për Kosovën që nga ndeshja e ardhshme kundër Greqisë më 14 tetor në Athinë. /Insajderi.com