Zgjedhjet për PE, blloqet e mëdha humbin terren, pritet koalicion i gjerë

Zgjedhjet për PE, blloqet e mëdha humbin terren, pritet koalicion i gjerë

Blloqet e mëdha të qendrës së djathtë dhe asaj të majtë në Parlamentin Europian e humbën shumicën e tyre të kombinuar. Ndërsa sollën një zhgënjim të thellë për to, zgjedhjet e 23-26 majit dëshmuan nga ana tjetër një rritje të mbështetjes për liberalët, “të gjelbrit” dhe nacionalistët.

Partia Popullore Europiane (EPP/PPE) mbetet për çdo rast blloku më i madh dhe pritet të krijojë një koalicion pro BE-së. Liberalët dhe “të gjelbrit” patën një natë mjaft të mirë, ndërsa nacionalistët presin të konfirmojnë triumfin në Itali dhe Francë.

Pjesëmarrja arriti të rrëzonte një trend të gjatë rënieje, duke mbërritur në gati 51 për qind. Populistët fituan terren në disa vende, por avancimi i tyre nuk ishte i përmasave të parashikuara.

Në Britaninë që përgatitet për shkëputje nga blloku, vota ishte praktikisht një ndëshkim për konservatorët në pushtet. Partia u dërrmua me nivelin më të ulët të votave në gati 200 vite, duke marrë vetëm 8.8 për qind. Nga ana tjetër, partia e porsaformuar e “Brexit”-it pretendon se shënoi një fitore të madhe. E ndërsa humbje patën edhe laburistët, liberal-demokratët rezultuan me një performancë mjaft të mirë.

Analistët mendojnë se PPE-ja mund të krijojë një koalicion të madh me socialistët dhe demokratët, si dhe mbështetjen e liberalëve dhe të “të gjelbërve”.

“Për të parën herë në 40 vite, dy partitë klasike nuk do të kenë më shumicën”, deklaroi Guy Verhofstadt. “Është e qartë se gjendemi përballë një momenti historik”, shtoi kreu i grupit liberal, sepse në PE do të ketë tani një balancë të re pushteti.

Triumfi i nacionalistëve, sidomos në Itali dhe Francë i ka dhënë një zë më tepër euroskeptikëve që kërkojnë t’i rrudhin fuqitë e Bashkimit Europian. Matteo Salvini ka punuar për krijimin e një aleance prej të paktën 12 partish dhe forca e tij politike i dha një shtysë të madhe sigurimit të më shumë se 30 për qind të votave, siç tregojnë rezultatet paraprake.