Dy prej talenteve më premtues të përfaqësueses kosovare në futboll, Milot Rashica e Besar Halimi nuk kanë kaluar një fundjavë të suksesshme me klubet e tyre përkatëse, në Holandë e Gjermani.
Rashica, i cili është njëri nga futbollistët më të mirë të Vitesses dhe titullar i padiskutueshëm, nuk ka përmbushur pritshmëritë e klubit holandez në ndeshjen derbi të kësaj jave në Eredivisie ndaj Ajaxit.
Vushtrriasi luajti për 66 minuta në këtë takim dhe nuk arriti të tregonte vlerat e padiskutueshme të tij në këtë takim të vështirë. Ai u zëvendësua nga talenti holandez Van Bergen, raporton Gazeta Online Insajderi.
Vitesse pësoi humbjen e dytë në Ligën Holandeze të futbollit, pasi u mposhtën nga Ajaxi me rezultat minimal 1:0.
Nën anën tjetër, situatë shumë të vështirë po kalon mesfushori kosovar Besar Halimi. 21-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm as në bankën rezervë në barazimin që skuadra e tij Mainz e regjistroi ndaj Hoffenheim në Bundesligë.
Ish-futbollisti i FSV Frankfurt nuk po gjen hapësira në sezonin e tij të parë tek Mainz, kjo për shkak të konkurrencës së madhe në mesfushën e kësaj skuadre.
Ai nuk është ftuar në asnjërën prej dy ndeshjeve të para të Mainzit në Bundesliga, madje nuk është përfshirë as në listën e lojtarëve që skuadra gjermane mund t’i përdorë në Ligën e Evropës këtë stinor, raporton Insajderi.
Halimi ka zhvilluar vetëm disa takime miqësore në ndeshjet parasezonale me gjermanët e Mainzit.
Ndërkohë që sot në superligën e Zvicrës ka shkëlqyer anëtari i ri i Kosovës, Benjamin Kololli. Mesfushori i krahut shënoi dy gola për skuadrënn e tij Lausanne ndaj Vaduzit.
Formë të mirë këtë fundjavë ka treguar edhe sulmuesi kosovar i Manchester Cityt, i huazuar tek Twente, Bersant Celina. 20-vjeçari shënoi gol në debutimin e tij në Eredivisie. /Insajderi.com