Një gjë e sigurt është se Real Madrid i Zinedine Zidane do të luftojë për gjashtë trofe sezonin e ardhshëm falë përforcimeve të bëra deri tani.
Edhe pse nuk ka asnjë gjë të garantuar, trajneri francez ka mbyllur ato vrima që ishin të dukshme para triumfit në finalen e Champions League të luajtur në Kardif.
Marcelo dhe Casemiro nuk kishin zëvendësues natyral sezonin e kaluar, një mangësi kjo që është zgjidhur me marrjen e Theo Hernandez dhe Marcos Llorente, me Zidane që tani ka dy alternativa për çdo pozicion.
Në rastin e mbrojtësi të majtë, alternativa e vetme natyrale ishte Fabio Conetrao (297 minuta në gjashtë ndeshje), por portugezi nuk preferohej nga francezi, i cili ka qenë i detyruar t’i besojë lojtarëve që nuk e kanë krahun e majtë të mbrojtje pozicionin e tyre natyral. Danilo dhe Nacho (respektivisht mbrojtës i djathtë dhe qendërmbrojtës) kanë zëvendësuar Marcelo-n, kur ky i fundit ka pasur nevojë për pushim.
Tani, me blerjen e Theo Hernandez, ky problem është zgjidhur. Ai i ka qenë një nga zbulimet e sezonit të kaluar në radhët e Alaves, ka luajtur 38 ndeshje dhe e mbylli sezonin me një gol të mrekullueshëm në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelona-s.
Madrilenët shpenzuan 26 milionë euro për t’ia marrë rivalëve të Atletico Madrid, klubi që zotëronte kartonin e futbollistit. Theo do të luajë një rol të rëndësishëm sezonin e ardhshëm, sa herë që Zidane do t’i kërkojë të marrë vendin e Marcelo-s, shkruan telesport.al.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Marcos Llorente, i cili është rritur në akademinë e Real Madrid dhe që është kthyer në një lojtar klasi në krah të Theo tek Alaves. Ai do të jetë një alternativë për Casemiro-n sezonin e ardhshëm.
Braziliani ka qenë shumë i rëndësishëm për “Los Blancos” sezonin e kaluar, deri në atë pikë sa, në ndeshjet kur nuk mund të luante për arsye të ndryshme, mungesa e tij është kthyer në një problem shumë të madh.
Por, edhe në këtë rast, ky problem nuk do të paraqitet më me kthimin e Llorente në bazë.
Gjithashtu, është e nevojshme të kujtojmë se sa e rëndësishme është për një trajner të ketë dy ekipe në dispozicion. Zidane e tregoi këtë në fazën finale të sezonit të kaluar, kur krijoi dy ekipe shumë efektive.
Nga njëra anë ishte skuadra e titullarëve për ndeshjet e rëndësishme të Champions League, ku përfshiheshin Cristiano Ronaldo, Luka Modric, Kroos, Karim Benzema. Nga ana tjetër, ishte skuadra e dytë, e udhëhequr nga Marco Asensio, Alvaro Morata, James dhe Lucas.