Barazimi pa gola ndaj Betisit në kampionat e ka zhgënjyer shume trajnerin e Real Madrid, Zinedine Zidane i cili në konferencën për shtyp pas ndeshjes u duk mjaft i mërzitur pasi fitimi i La Liga-s është një ndër synimet e tij kryesore, njofton Insajderi.
Gjithashtu tekniku francez u shpreh mjaft i kënaqur për rikthimin e Eden Hazard në fushë, i cili dhe pse u aktivizua pak minuta arriti të lërë gjurmë në këtë ndeshje.
Fillimisht legjenda franceze foli për barazim, duke thënë: “Ne humbëm dy pikë, është e qartë. Në mbrojtje ishim shumë të mirë, por në sulm na munguan shumë gjëra. Na mungonte diçka sot, nuk ishim të qartë para portës”.
Më tutje Zidane foli për të ardhmen e klubi dhe ndeshjet të cilat i presin madrilenët. “Duhet të rikuperojmë mirë. Kemi humbur dy pikë, por tani jemi përqendruar në ndeshjen e së martës ndaj Chelseat. Ka një rrugë të gjatë për të bërë në La Liga dhe do të luftojmë deri në fund. Ne jemi të përgatitur për ndeshjen tjetër, e cila do të jetë më e vështira për të gjithë sezonin”.
Ndërsa krejt në fund trajneri i Real Madridit foli edhe për rikthimin e Hazardit nga lëndimi. “Ishte ndjenjë e mirë që e pashë të rikthehet në fushën e lojës. U gëzova sepse Eden mund të kontribuojë shumë për ne”, e mbylli fjalën e tij Zidane. /Insajderi.com