Të paktën 42 persona mbetën të vdekur të martën nga shpërthimi i zjarreve pyjore në Algjeri, duke përfshirë 25 ushtarë që ishin angazhuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, njoftoi qeveria.
Retë e dendura të tymit mbuluan pjesën më të madhe të rajonit malor Kabylie në lindje të kryeqytetit.
Dhjetëra zjarre të ndara kanë përfshirë zonat pyjore në Algjerinë veriore që nga e hëna në mbrëmje dhe Ministri i Brendshëm, Kamel Beldjoud, akuzoi zjarrvënësit për ndezjen e flakëve, pa dhënë më shumë detaje mbi akuzat.
“Vetëm duart kriminale mund të jenë prapa shpërthimit të njëkohshëm të rreth 50 zjarreve në disa lokalitete,” tha ai, raportoi CNN të mërkurë, transmeton Insajderi.
Disa shtëpi u dogjën ndërsa familjet po iknin drejt hoteleve, bujtinave të të rinjve dhe rezidencave universitare, thanë dëshmitarët, duke shtuar se një tym i dendur pengonte shikueshmërinë e ekipeve të zjarrfikësve.
“Kishim një natë tmerri. Shtëpia ime është djegur plotësisht,” tha Mohamed Kaci, i cili kishte ikur me familjen e tij nga fshati Azazga në një hotel.
Duke folur në televizionin shtetëror të martën në mbrëmje, kryeministri Ayman Benabderrahmane tha se numri i të vdekurve ishte rritur në 42, përfshirë 25 pjesëtarë të ushtrisë. Qeveria ishte në “bisedime të avancuara me partnerët (e huaj) për të punësuar aeroplanë dhe për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të shuarjes së zjarreve,” shtoi ai.
Zjarrfikësit dhe ushtria ishin ende duke u përpjekur për të kontrolluar flakët, dhe Beldjoud tha se përparësia ishte të shmangnin më shumë viktima. Ai u zotua se do të kompensojë të prekurit./Insajderi.com