Zvicra ul çmimet e 350 medikamenteve

Ulja çmimeve për të cilat është vendosur tash, do të zbatohet nga 1 janari 2018 në mënyrë graduale. Në përgjithësi për periudhën 2017-2019, BAG parasheh kursime prej 180 milionë frangash

Zvicra ul çmimet e 350 medikamenteve

Zyra Federale e Shëndetësisë (BAG) gjatë vitit që po shkon ka shqyrtuar rreth njëmijë medikamente të rimbursuara nga sigurimi shënetësor bazik, shkruan srf.ch. Si rezultat i shqyrtimit ajo ka vendosur të ulë çmimet e 350 prej tyre duke siguruar kështu një kursim prej rreth 60 milionë frangash.

Megjithatë, mbetet e hapur nëse reduktimi i çmimit do të ndodhë me të vërtetë për të gjitha këto medikamente, transmeton albinfo.ch. Kjo, për faktin se disa nga pronarët e licencave për barnat përkatëse kanë paralajmëruar ankesa.

Medikamentet që rimbursohen nga sigurimi bazë shëndetësor kontrollohen një herë në tre vjet për të konstatuar efektivitetin, përshtatshmërinë dhe aspektin ekonomik të tyre. Nëse tregohet se çmimi aktual për një medikament të caktuar është tepër i lartë, atëherë BAG vendos për uljen e atij çmimi.

Sipas të dhënave të zyrës në fjalë, në periudhën 2012-2014 janë kursyer mbi këtë bazë rreth 600 milionë franga.

Ulja e çmimeve për të cilën është vendosur tash, do të zbatohet nga 1 janari 2018 në mënyrë graduale. Në përgjithësi për periudhën 2017-2019, BAG parasheh kursime prej 180 milionë frangash.