Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka mbështetur publikimin e emrave të pesëdhjetë kompanive që përfituan më së shumti nga Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Të premten, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, publikoi listën me përfituesit kryesor të mjeteve financiare nga shteti.
Këtë veprim Hekuran Murati, deklaroi se e bëri për shkaqe të transparencës, raporton Insajderi.
Njëjtë mendon edhe shefi i zyrës së BE-së. Ai ka deklaruar të premten se transparenca ishte kusht i Bashkimit Evropian për dhënien e huasë për Kosovën me vlerë prej 100 milionë eurosh.
“Unë mbështes vendimin e Hekuran Muratit për të publikuar listën e 50 përfituesve më të mëdhenj nga fondet publike të Kosovës. Një hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies. Ky është një kusht për të cilin BE-ja ra dakord me Kosovën kur u nënshkrua marrëveshja e huasë për ndihmë makro financiare prej 100 milion euro”, ka shkruar ai në Twitter.
Publikimi i emrave të përfitueseve nga Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike nuk është parë si “formë transparente” nga të gjithë.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, një akt të tillë e cilësoi si “urrejtje të Qeverisë për sektorin privat”. /Insajderi.com
I support @HekuranMurati decision to publish the list of 50 largest beneficiaries from Kosovo public funds. A positive step towards transparency and accountability. This is a condition EU agreed with Kosovo when €100 million Macro Financial Assistance loan agreement was signed.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) April 23, 2021