Zyrtarët afganë: Talibanët i kanë vrarë dhjetëra vetë

Zyrtarët afganë: Talibanët i kanë vrarë dhjetëra vetë

Së paku 30 vetë raportohet se janë vrarë nga talibanët në provincën veriore afgane, Sari Pul.

Zyrtarët afganë thanë se sulmi kishte ndodhur dje, pasi militantët e kishin marrë kontrollin në hapësirën Mirzawalang, në qarkun Sayad, pas dy ditëve të luftimeve të ashpra me forcat e sigurisë.

Guvernatori provincial, Zahir Wahdat, tha sot se pjesa më e madhe e të vrarëve ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë dhe disa pjesëtarë të forcave lokale të sigurisë.

Së paku 25 civilë konsiderohen të zhdukur, ka thënë Mohammad Noor Rahmani, zyrtar provincial.

Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulm, por jo edhe për vrasjet e civilëve dhe rrëmbimet.

Më herët, zyrtarët patën thënë se 7 policë dhe 10 talibanë ishin vrarë dhe katër policë të tjerë ishin plagosur, gjatë këtyre luftimeve.