Zyrtarët amerikanë do të takohen me përfaqësuesit e talebanëve

Zyrtarët amerikanë do të takohen me përfaqësuesit e talebanëve

Zyrtarët amerikanë do të takohen me figura të larta të talebanëve në këtë fundjavë për bisedime që synojnë lehtësimin e evakuimit të shtetasve të huaj dhe afganëve në rrezik nga Afganistani, tha një zyrtar amerikan, transmeton Insajderi.com.

Fokusi i këtyre bisedimeve të shtunën dhe të dielën do të jetë mbajtja e udhëheqësve talebanë të Afganistanit në zotimet që ata do të lejonin amerikanët dhe shtetas tjerë të huaj që të largoheshin, së bashku me afganët që dikur punonin për ushtrinë apo qeverinë amerikane dhe aleatët e tjerë afganë.

Talebanët duke keqtrajtuar një femër.

Një zyrtar amerikan ka folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me emër për takimet, raporton The Guardian.

Administrata e Biden ka parashtruar ankesa lidhur me ritmin e ngadalshëm të evakuimeve të lehtësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Afganistani i sunduar nga talebanët që kur forcat dhe diplomatët e fundit amerikanë u larguan nga aty në fund të gushtit.

Po ashtu, SHBA synon të bëjë presion ndaj talebanëve për të respektuar të drejtat e grave dhe vajzave, shumë prej të cilave talebanët thuhet se po i pengojnë të kthehen në punë dhe klasa, dhe të afganëve në përgjithësi, dhe të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, tha zyrtari.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu do të inkurajojnë zyrtarët talebanë që t’u japin agjencive humanitare qasje të lirë në zonat në nevojë në mes të trazirave ekonomike pas largimit të Shteteve të Bashkuara dhe kontrollit të talebanëve.