Zyrtarët e Infektivës japin detaje për gjendjen shëndetësore të personelit së KQZ-së

Zyrtarët e Infektivës japin detaje për gjendjen shëndetësore të personelit së KQZ-së

Në Klinikën Infektive është mbajtur konferencë për media lidhur me gjendjen shëndetësore të personelit të KQZ-së, të cilët u raportua se u helmuan.

Drejtoresha e Infektivës Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se 12 pacientët e shtrirë në Infektivë nuk kanë sindromë infeksioze.

“Gjendja shëndetësore është e mirë. Nuk kanë ankesa pacientët. Nuk kanë sindromë infeksiozë. Të gjitha analizat janë në normë. Mendojmë që është mirë të observohen të paktën edhe 24 orë të jenë nën kujdesjen e mjekëve”, tha ajo, raporton KTV.

Ndërsa drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se nga rezultatet e analizave nuk kanë pas ndonjë sindromë infeksiozë e cila është sëmundje ngjitëse.

“Është izoluar mundësia me pas ndonjë sindrome infeksiozë e cila është sëmundje ngjitëse. Pacientët janë në observim” tha ai.

Ramadani dhe Ajazaj nuk kanë treguar arsyet e simptomave të helmimit të zyrtarëve të KQZ-së.

Kujtojmë se procesi i verifikimit të votave nga Serbia, është ndërprerë në gjysmë të dielën, pas ankesave të disa prej zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, që kanë pasur kontakt me zarfet e ardhura nga Serbia, për kruarje të duarve, fytyrës dhe vështirësi në frymëmarrje.