Zyrtarisht liderët e dy Koreve arrijnë marrëveshje

Zyrtarisht liderët e dy Koreve arrijnë marrëveshje

Liderët e Koresë Jugore dhe asaj Veriore Moon dhe Kim sot janë marrë vesh që ta përfundojnë luftën e gjatë shtatë dekada dhe të punojnë në “denuklearizim të plotë” të Gadishullit Korean, shkruan “Bloomberg”.

Dy presidentët kanë publikuar se është arritur marrëveshje pas takimit historik në kufi të këtyre dy shteteve, në vizitën e parë të liderit të Koresë Verore në Jug. Vendet teknikisht ishin në luftë prej vitit 1950, ndërsa marrëveshja paqësore kurrë nuk është nënshkruar zyrtarisht, transmeton Insajderi.com.

Moon dhe Kim kanë thënë se muajin e ardhshëm do të kenë bisedimet ushtarake ku do të arrihet “çarmatosja graduale”, por nuk kanë dhënë më shumë detaje. Ata kanë paralajmëruar plane që formalisht ta shpallin rezolutën mbi luftën dhe deri në fund të vitit ta shndërrojnë armëpushimin aktual në marrëveshje paqësore.

Dy palët kanë “konfirmuar qëllimin e përbashkët për Gadishullin Korean pa armatim nuklear nëpërmes të denuklearizimit të plotë”. Koreja Jugore dhe ajo Veriore janë pajtuar që të vazhdojnë të pranojnë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për denuklarizimin e gadishullit, pretendohet në kumtesë. Siç lajmëron “Bloomberg” nuk është sqaruar në detaje se çfarë do të thotë kjo.

Marrëveshja ka pasuar pas uljes së tensioneve, të cilat vitin e kaluar kanë arritur kufirin e konfliktit pasi Pheniani kishte zbatuar një sërë provash nukleare dhe balistike. Kim Jong-un po planifikon që së shpejti ta takojë edhe presidentin e SHBA Donald Trump./Insajderi.com.